Dje pasdite, kampionët kanë lënë Ohrin dhe janë rikthyer në kryeqytet
Ka marrë fund përgatitorja e skuadrës së Tiranës, zhvilluar në Ohër të Maqedonisë. Pasi ka qëndruar afro një javë e gjysmë në shtetin fqinj, ku ka kryer fazën përgatitore, pas një seancë stërvitore paraditen e djeshme dhe pasi ka drekuar, pasdreke skuadra e drejtuar nga kroati Ilija Lonçareviç, ka lënë Ohrin për t’u kthyer në kryeqytet, për të vazhduar përgatitjet para Stabaekut. Gjatë qëndrimit në shtetin fqinj ata kanë zhvilluar katër takime miqësore me ekipe të niveleve të ndryshme, që më shumë i kanë vlejtur trajnerit kroat Lonçareviç për të njohur më mirë lojtarët që ka pasur në dispozicion gjatë kësaj përgatitoreje
Tre prej tyre i kanë fituar, pikërisht me Vllaznimin me rezultatin 6-0, me Strugën 3-1 me një seleksionim lojtarësh nga kampionati maqedonas 6-0 dhe kanë vetëm një barazim me Teteksin, 1-1. Gjatë periudhës së përgatitjes në Ohër, krahas grupit të lojtarëve të sezonit të kaluar, skuadrës iu bashkuan edhe dy lojtarë të rinj që duket se janë edhe përforcimet e para për Champions-in.
Bëhet fjalë për mbrojtësin kroat, Igor Gal si dhe francezin që ka luajtur përpara dy sezonesh me kryeqytetasit, Laurent Mohelebi. Pritet që me bardheblutë të firmosë së shpejti edhe sulmuesi shtatlartë, vlonjati Arbër Abilaliaj, që ka rënë parimisht dakord me kryedonatorin Refik Halili, para disa ditësh. Vetë trajneri kroat ka folur me nota pozitive për Abilaliajn, ndërsa ai shihet si një alternativë e mirë në sulm, duke formuar dyshen me vlonjatin tjetër, Xhafaj, nisur edhe nga golat që ai ka shënuar në miqësoret që bardheblutë kanë zhvilluar në kryeqytet dhe në Ohër.
Kampionët, prova e vërtetë me Stabaekun
Pasi kanë bërë një fazë përgatitore në Ohër, ku kanë zhvilluar disa ndeshje miqësore, apo kur skuadrës i janë bashkuar edhe dy përforcime të reja, përgatitjet e bardhebluve tashmë do të “zhvendosen” në kryeqytet. Në Ohër, skuadra është përgatitur në një disiplinë të lartë nga ana e stafit, ndërsa Lonçareviç çdo ditë pothuajse ka zhvilluar nga dy seanca stërvitore. Trajneri kroat ka aplikuar ushtrime të ndryshme, vrapime, përgatitje fizike e atletike, pa lënë mënjanë edhe palestrën e forcës. Grupi, edhe pse nuk do të jenë Memelli, Pezo dhe Agolli, tre lojtarë mjaft të rëndësishëm për nevojat që ka skuadra momentalisht, duket i plotësuar, nisur edhe nga fakti që është ruajtur “bërthama” me lojtarët e sezonit të kaluar.
Kur duhen edhe gjashtë ditë nga sfida e parë për Champions, me kampionen e Norvegjisë, Stabaek, bardheblutë do të vazhdojnë të përgatiten në Tiranë. Puna e nisur në Ohër nga ana e kroatit Lonçareviç, nga ato që bëjnë të ditur burime brenda stafit, do të vazhdojë edhe në kryeqytet me të njëjtat ritme. Skuadra do të vazhdojë përgatitjet me dy seanca stërvitore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia që të zhvillohet edhe ndonjë ndeshje miqësore gjatë ditëve të mbetura, që do t’ shërbejnë kroatit për të kolauduar formacionin që do të hedhë në fushë ndaj Stabaekut.
burimi i marre nga sportishqiptar.com.al
Nessun commento:
Posta un commento