Mesfushori Erando Karabeci si zgjedhje të parë ka gjithmonë fanellën e kuqe
Fillimi i fazës përgatitore nga ana e Partizanit është pritur mirë nga një pjesë e konsiderueshme e lojtarëve, kryesisht e brezit të ri, pasi do t’u japin fund përgatitjeve individuale. Te grupi që përfundoi sezonin e fundit janë krijuar tri nëngrupe, ku në të parin bëjnë pjesë ata lojtarë që nuk do të jenë në seancën e parë pa marrë detyrimet e prapambetura. Në të dytin bëjnë pjesë ata që do të jenë në fillim, por për të ardhmen do të vendosin, duke shqyrtuar situatën, ndërsa në të tretin janë ata lojtarë që si do të vejë puna duan të mbeten futbollistë të Partizanit.
Mesfushori i ri, Erando Karabeci, ka konfirmuar dje për “Sportin shqiptar” se do të nisë përgatitjet me të kuqtë, por nuk mund të flasë më shumë për të ardhmen e tij. “Lajmin për fillimin e përgatitjeve të skuadrës e mirëprita, pasi më së fundi do të kem mundësi të ndërpres stërvitjen individuale. Aktualisht jam lojtar i Partizanit, kështu që do të jem në seancën e parë stërvitore. Dëshira ime bashkohet me shumicën, të cilët e kanë shprehur qartë se zgjedhja e parë mbetet fanella e kuqe. Jam shumë i lidhur me uniformën e Partizanit, kështu që do të mundohem ta respektoj sa të mundem, megjithatë nuk mund të them me siguri 100-përqindëshe se do të mbetem i kuq edhe për sezonin e ri.
E them këtë, pasi më parë dua të shikoj prespektivën që do të ketë skuadra në edicionin e ri, por për një gjë jam i sigurt se, nëse çdo gjë do të shkojë sipas parametrave të duhur, unë do të mbetem pjesë e Partizanit. Prandaj si fillim është mirë që do të nisim përgatitjet si grup, më pas gjithsecili do të shikojë se ku i përputhen interesat. Shpresoj se problematika që po kalon Partizani prej më shumë se një viti të ndryshojë sa më parë, pasi vetëm në këtë mënyrë mund të pretendosh për një rilindje të skuadrës,”- u shpreh dje mesfushori i të kuqve si dhe i ekipit Shpresa, Erando Karabeci.
burimi i marre nga sportishqiptar.com.al
Nessun commento:
Posta un commento