Telegrafi.com - Sport

mercoledì 8 luglio 2009

FSHF, zbulohet “autostarda” e sezonit të ri


Sektori i garave e ka bërë gati projektin e kalendarit të sezonit futbollistik 2009-2010

Sektori i garave pranë Federatës Shqiptare të Futbollit ka bërë gati projektin e kalendarit futbollistik të sezonit 2009-2010, që do t’i propozohet komitetit ekzekutiv për miratim. Në fakt, puna për hartimin e këtij kalendari ka nisur pa përfunduar ende sezoni 2008-2009, teksa të gjithave klubeve të superligës u është shpërndarë projekti me datat për të gjitha kompeticionet që zhvillohen në vend si dhe takimet e kombëtares, qofshin këto eliminatore apo miqësore. Në njëfarë mënyre, të gjitha skuadrat e superligës janë njoftuar për datën e nisjes së sezonit të ri (23 gusht), pasi vetë shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku, u ka dhënë përfaqësuesve të atyre klubeve që kanë marrë pjesë në mbledhje kalendarin për sezonin e ri futbollistik

Shqipëri-Qipro çel sezonin e ri futbollistik

Takimit të Superkupës se Shqipërisë dhe javës së parë të kampionatit u paraprin ndeshja miqësore që kombëtarja jonë do të zhvillojë me Qipron. Kjo miqësore është vendosur muaj më parë, pas dështimit të kuqezinjve me Hungarinë dhe Danimarkën, çka solli edhe largimin nga detyra e trajnerit të kombëtares të holandezit Ari Han. Pasuesi i Hanit, Josip Kuzhe, ka zhvilluar dy ndeshje në stolin kuqezi (Shqipëri-Portugali 1-2, Shqipëri-Gjeorgji 1-1) dhe pret sfidën me Qipron, që do të jetë test i rëndësishëm për eliminatoren e 9 shtatorit me Danimarkën në “Qemal Stafa”. Më shumë se një muaj më pas Shqipëria do të udhëtojë drejt Suedisë, ku më 14 tetor do të luajë ndeshjen e fundit eliminatore të Botërorit 2010. Më 18 nëntor është parashikuar ndeshja miqësore me Skocinë, ndërsa më 3 mars pritet të vendoset për një tjetër miqësore, por mbetet enigmë emri i kundërshtarit të kuqezinjve.

Superkupa, trofeu i parë sezonal

Më 16 gusht, vetëm katër ditë pas miqësores me Qipron, do të luhet Superkupa e Shqipërisë me Tiranës dhe Flamurtarit. Siç dihet, ky trofe diskutohet mes fitueses së kampionatit dhe asaj të Kupës. Flamurtari u shpall fitues i Kupës pikërisht pasi mundi Tiranën 2-1 në finalen e “Niko Dovanës”, ndërsa Tirana e fitoi kampionatin në javën e fundit, duke mundur 2-1 Vllazninë, që e rivalizoi deri në minutën e fundit të kampionatit. Superkupa është trofeu i parë sezonal, por që nuk ngjall interes shumë të madh te sportdashësit.

33 javët e superligës me 12 skuadra

Nuk ka më enigma për skemën e kampionatit. Për titullin kampion të superligës do të garojnë 12 skuadra, që do të ndeshen me njëra-tjetrën në 33 javë të kampionatit. Pavarësisht se FSHF-ja ende po shqyrton kërkesën e klubeve për ndryshimin e skemës, gjithçka duket e mbaruar, që do të thotë se as që mund të bëhet fjalë për ndryshime. Java e parë e superligës, si gjithmonë, luhet në fund të muajit gusht. Për sezonin e ri futbollistik është përcaktuar data 23 gusht për nisjen e garës së gjatë të kampionatit, që do ta kurorëzojë fituesen e titullit kampion më 8 maj, rreth 2 javë më herët se sezoni që u mbyll. Afrimi i datave të superligës ka qenë i detyruar për shkak të Botërorit 2010, që do të nisë më 12 qershor. Të gjitha kampionatet e vendeve europiane janë afruar me disa javë për shkak të evenimentit më të rëndësishën futbollistik në botë.

Ndeshjet e Kupës, finalja më 28 prill

Sektori i garave ka përcaktuar në projektin e saj edhe datat e zhvillit të ndeshjeve të Kupës së Shqipërisë. Më 23 dhe 30 shtator do të luhen takimet eliminatore, ku do të marrin pjesë skuadrat e nivele më të ulëta, duke përjashtuar ato të superligës. 1/16-at do të luhen më 28 tetor dhe 11 nëntor, ndërsa 1/8-at do të mbyllen brenda 2009-ës, më 2 dhe 16 dhjetor. Çerekfinalet luhen më 24 shkurt dhe 10 mars, ndërsa gjysmëfinalet më 24 mars dhe 7 prill. Finalja e madhe, që do të përcaktojë edhe fituesen e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2009-2010, do të luhet më 28 prill.

burimi i marre nga sportishqiptar.com.al

Nessun commento:

Posta un commento