Telegrafi.com - Sport

giovedì 9 luglio 2009

Çekrezi do 3000 $ në dorë për t’u kthyer te Turbina

Mesfushori cërrikas dëshiron të luajë me skuadrën e qytetit, por kërkon garanci financiare

Në kuadrin e merkatos që drejtuesit cërrikas po bëjnë, konstatohet se mesfushori Armand Çekrezi, në bisedën e parë që ka bërë, ka pranuar në parim të jetë pjesë e Turbinës sezonin e ri. Por kushti i tij është shuma prej 3000 dollarësh, shumë që, sipas tij, i shërben si garanci për korrektësinë midis të dyja palëve. Ftesën e bërë nga trajneri Bardhi, Çekrezi e ka pritur mirë, duke e garantuar trajnerin se do të mbrojë ngjyrat e Turbinës, por kërkon garanci financiare. “Po vazhdoj bisedimet për rikthimin te Turbina, por dua që drejtuesit e klubit dhe financuesit të më garantojnë anën financiare. Turbina është skuadra ime e zemrës, pasi jam cërrikas, ndaj e ndiej që kam për t’i dhënë shumë. Nuk ishte i lehtë largimi nga Turbina, por ishin të shumta arsyet që më detyruan ta bëj këtë gjë,” - u shpreh për “Sportin shqiptar” mesfushori Armand Çekrezi. Ai bën pjesë edhe në planet e disa skuadrave të kategorisë së parë, mes të cilave Luftëtari dhe Burreli, por asgjë nuk është zyrtare. Mësohet se edhe Elbasani e dëshëron mesfushorin cërrikas. Gjithsesi, nëse drejtuesit e klubit vendosin t’ia realizojnë kërkesën futbollistit, ai do t’i bashkohet “armatës” së studiuar me kujdes nga trajneri kryeqytetas, Sinan Bardhi. Nga ana tjetër, burime pranë stafit teknik bëjnë të ditur se lista prej 18 futbollistësh është gati dhe do t’u dorëzohet financuesve, pra presidencës dhe bashkisë, që më pas do të japin “ok”-in për nisjen e stërvitjes. “Ende jam futbollist i Gramshit, por do të sakrifikoja për Turbinën. Nëse drejtuesit cërrikas nuk do të bien dakord me shifrën që u kam kërkuar, do të shoh ofertat e skuadrave të tjera, përfshi edhe të Gramshit, që do të luajë në kategorinë e parë. Jam cërrikas dhe dua të luaj për Turbinën, pasi ajo do të ketë pretendime të qarta,” - ka përfunduar Çekrezi.

Tryeza e shumëpritur midis krerëve cërrikas pritet të qartësojë përfundimisht pozicionin e shumë futbollistëve vendës, të cilët janë ftuar për të mbrojtur ngjyrat e Turbinës. Në listën e përpiluar prej 18 futbollistësh bie në sy emri i portierit Alban Hoxha, i cili aktualisht është portieri i dytë i Dinamos.


K.Karai: Do të mbetem lojtar i Sopotit

Gradualisht, ekipet e futbollit po nisin procesin stërvitor dhe po shpallin objektivin për sezonin e ri. Në këtë situatë, lojtarët po mendojnë seriozisht për të ardhmen e tyre dhe mesfushori i Sopotit, Klodian Karai, thekson se i mbetet besnik ekipit të zemrës. Ai pranon se probleme, si në të gjitha ekipet e vendit, ka edhe te Sopoti: “Sigurisht, e pranojmë se në ekip ka pasur probleme, si në shumë të tjera. I rëndësishëm për ne është fakti që Sopoti qëndroi në kategorinë e parë. Tani është koha të marrim masat për sezonin e ri, që kërkon përgatitje sa më serioze. Çdo vonesë në këtë drejtim do të sillte probleme në kurrizin tonë.” Futbollisti 22-vjeçar thekson se do të vazhdojë të jetë pjesë e Sopotit. “Mendoj se zgjidhja më e mirë është të vazhdoj bashkëpunimin edhe për një vit me Sopotin. Ky ekip do të jetë më i përgatitur dhe me objektivin për një vend sa më të mirë në renditje. Sopoti i ka të gjitha mundësitë për të qenë në mesin e artë dhe jo për të luftuar për qëndrimin në kategorinë e parë,” - përfundon Klodian Karai. Ndërkohë, në terrenet sportive mbizotëron qetësia. Të vetmit që mund të shohësh këto ditë janë të rinjtë, të cilët bëjnë stërvitje individuale, si dhe punëtorët e fushës.

Pas shumë e shumë përpjekjesh, bashkia arrin të bindë këshilltarët të shqyrtojnë shndërrimin e ekipit në sh.a

Tomori, bashkia ndez dritën jeshile

Nuk thonë kot: Më mirë vonë sesa kurrë! Kjo vlen më shumë se për këdo tjetër për skuadrën e Tomorit, që më në fund duket se do të marrë frymë lirisht. Këshilli bashkiak, i cili disa ditë më parë, me një votë më shumë, mundi të miratonte vetëm futjen në rend të ditës shndërrimin e Futboll Klub “Tomori” në sh.a, më në fund është bindur, që ky problem duhet mbyllur. Bashkia, nën kujdesin e kryetarit të saj, Fadil Nasufit, ka përgatitur gjithë procedurat ligjore, që do t’u serviren këshilltarëve në mbledhjen, ku ka drejtuar sytë gjithë tifozëria beratase. “Nëse deri tani ka pasur vonesa, këto nuk kanë ndodhur se kemi neglizhuar problemin, por për shkak të përmbushjes së disa detyrimeve ligjore. Pengesa e parë ishte çlirimi i skuadrës nga “pengu” i familjes Malollari, gjë që tashmë është zgjidhur në favor të bashkisë. E them me bindje se tani nuk ekziston asnjë pengesë për të futur administrimin e futbollit në bazë të rregullave të sh.a‑së. Besoj se këshilli bashkiak do të dijë të ngrihet mbi problemet e vogla dhe do të marrë një vendim, që mezi po pritet nga qytetaria beratase,” ‑ ka deklaruar kryebashkiaku i Beratit, Fadil Nasufi.

Në fakt, edhe pse koha për ngritjen e një skuadre me objektiva maksimale, është minimizuar, kjo nuk do të thotë se mungon vullneti i faktorëve, që do të angazhohen me formatimin bashkëkohor të Tomorit. Lajmi për hapjen e dritës jeshile është mirëpritur jo vetëm nga futbolldashësit vendës, por edhe nga numri 1 i shoqërisë anonime, biznesmeni Pëllumb Berberi. Ky i fundit është në pritje të vendimit të këshilltarëve bashkiakë, që shpresojmë të jetë pozitiv, për të nisur më pas nga puna për ringritjen e infrastrukturës sportive dhe formatimin e një skuadre elitare.

burimi i marre nga sportishqiptar.com.al

Nessun commento:

Posta un commento