
Kuqeblutë do të hynin në histori nëse sot kualifikoheshin për në turin e dytë të Ligës së Evropës. Do të ishte suksesi i tretë radhazi për këtë klub në Evropë, që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Në ndeshjen e parë është arritur një rezultat, sa i papritur, por edhe shumë domethënës për kalimin e këtij turi. Për kapitenin e Vllaznisë, Vioresin Sinani, ekipin e tij e pret një përballje mjaft e vështirë. Fitorja 1-2 në sfidën e parë duhet të mbrohet dhe pse jo dhe të thellohet, por gjithsesi ajo që ka më shumë rëndësi, është që ekipi kuqeblu të bëjë më të mirën. Këtë duhet ta bëjnë për vete, por edhe për mijëra e mijra tifozë që ndjekin kuqeblutë. Sinani, madje në Sligo ka shijuar një çast me të vërtet të bukur, ku ka marrë përqafimet e një tifozi shkodranë në fushën e blertë. Për më tej, ja si u shpreh sulmuesi kuqeblu, në një intervistë për “Panorama Sport”:
Vioresin, pas asaj fitoreje, tashmë erdhi ndeshja e dytë, që vendos çështjen e kualifikimit. Si e vlerësoni sfidën e sotme?
Është një takim që duhet shikuar drejt nga ana e ekipit tonë. Asgjë nuk ka përfunduar përsa i përket kualifikimit. Nëse ne futemi në fushë me mendimin që jemi të kualifikuar, mendoj se kemi gabuar totalisht.
Mendoni se do të jetë i vështirë kalimi në turin tjetër, pavarësisht se rezultati i ndeshjes së parë është favorizues..?
Pa asnjë diskutim. Është një takim ku nuk do ta kemi në asnjë moment të lehtë. Pavarësisht se vijmë me një rezultat 1-2, që është shumë favorizues, kjo nuk do të thotë asgjë. Ashtu siç ne kemi arritur të fitojmë në Sligo, të njëjtën gjë mund të bëjë edhe kundërshtari ynë në Shkodër.
Tani që e njihni më mirë Sligon, çfarë i druheni më shumë?
Ka lojtarë mjaft të mirë dhe shumë të fuqishëm, por gjithashtu të shpejt. Duhet të bëjmë kujdes që në fillim, pasi luajnë një lojë që të lejon pak hapësira. Megjithatë, nëse do të futemi në fushë të bindur për të fituar, mund t’ia arrijmë. Këtë e kemi provuar dhe vetëm kështu mund të jemi në turin tjetër, duke sulmuar.
Keni përjetuar një çast të bukur në Sligo, teksa pas shënimit të golit të dytë, një tifoz hyri në fushë për t’u përqafuar. Çfarë mund të na thoni për këtë?
Ah, është një çast që nuk do më harrohet lehtë. Ishte një tifoz që nuk e njoh. Ka ardhur nga shkallët dhe më është hedhur përnjëherash në qafë. Ishte diçka e bukur, të cilën sidomos jashtë Shqipërisë, nuk e kisha përjetuar ndonjëherë.
Mendoni se këtë kënaqësi do t’ia dhuroni edhe tifozëve në takimin e sotëm?
Ajo që nuk diskutohet është se ne do të futemi në fushën e lojës për të dhënë më të mirën. Do të futemi për të marrë një kualfikim në këtë takim, të cilin e kemi prekur, por që të bëhet realitet duhet edhe shumë punë. Megjithatë, unë kam besim se të gjithë duke vënë në fushë shpirtin, mund t’ia dalim. Në këtë mënyrë mund të gëzojmë veten, drejtuesit e klubit, familjet tona dhe mbi të gjithë mijërat e tifozëve që do të na ndjekin, jo vetëm në stadium, por edhe përmes televizionit apo radios.
burimi i marre nga panorama.com.al
Nessun commento:
Posta un commento