Telegrafi.com - Sport

martedì 7 luglio 2009

Sondazhi: Trukimet e ndeshjeve, problemi kryesor i sezonit të shkuar


Tifozët e futbollit shqiptar, njëkohësisht edhe lexues të rregullt të versionit online të gazetës “Sporti shqiptar”, kanë marrë pjesë në mënyrë masive në sondazhin e radhës, i cili kishte të bënte me sezonin futbollistik kombëtar që u mbyll, konkretisht me kampionatin e 70‑të kombëtar, Superliga, dhe Kupën e 57‑të të Shqipërisë. Duke qenë se po diskutohet shumë mbi objektivitetin e verdikteve të kampionatit që shkoi, kryesisht të skuadrave që ranë nga kategoria dhe të atyre që mbijetuan, tema e sondazhit i ka tërhequr mjaft lexuesit tanë. Ajo titullohej: Cili ka qenë problemi më i madh i edicionit futbollistik që u mbyll?” Alternativat e parashtruara ishin disa, që mendoheshin se përmbushnin problematikën e vërtetë, të cilën mediat sportive kanë hasur në punën e tyre, gjatë pasqyrimit të garës kombëtare futbollistike, në sezonin 2008‑2009. Më konkretisht, sondazhi i radhës mund të zbërthehet në këtë mënyrë, sipas shifrave dhe rekordeve përkatës. Në këtë lloj pyetësori kanë marrë pjesë gjithsej 1226 lexues të “Sporti shqiptar”, versioni i saj online, dhe tifozë të futbollit shqiptar njëkohësisht, ndër të cilët, për alternativën “TRUKIMET E NDESHJEVE” kanë votuar 318 vetë, ose 26 përqind e totalit. Me trukim të ndeshjeve, tifozët kanë parasysh paracaktimin e disa lojërave, sidomos në fundin e kampionatit, kur lufta për mbijetesë i kaloi caqet e fushës së blertë, duke ngërthyer në të edhe ndërhyrjet e politikës, të afiniteteve mes presidentëve të klubeve, por, pse jo, edhe të parasë. Më tej, për alternativën “GJYKIMET JOKORREKTE” kanë votuar 268 vetë, ose 22 përqind e pjesëmarrësve në këtë sondazh. Sikurse duket, lexuesit tanë evidentojnë si problematikë të madhe të garës kombëtare futbollistike edhe “bluzat e zeza”. Madje, ka prej tyre, të prirur nga tifot për skuadrat e zemrës, që gjyqtarët i konsiderojnë edhe “fytyra të zeza”. Në këtë pjesë të rëndësishme të një sezoni futbollistik, pjesëmarrësit në sondazh nuk janë dakord me “gabimet njerëzore”, siç i konsideron federata, por me gafa të qëllimshme të gjyqtarëve, në të mirë të xhepit të tyre, duke u shërbyer skuadrave që dinë “të merren vesh” me ta në këtë mënyrë. Ata që ankohen më shumë për “bluzat e zeza” janë tifozët e Partizanit, të cilët, zbritjen e skuadrës së tyre të zemrës një kategori më poshtë, ua faturojnë më së shumti atyre. Por, për gjyqtarët, qahen pothuajse të gjithë, sepse nuk ka mbetur skuadër, sipas tyre, pa rënë pre e “gabimeve njerëzore”. Alternativën “DREJTIMI I FSHF”, e kanë parë si problemin më të madh shqetësues të edicionit futbollistik që u mbyll 254 vetë, nga totali i pjesëmarrësve në këtë sondazh, ose 21 përqind e tyre. Në këtë pikë, votuesit kanë patur parasysh standardet e dyfishta të federatës, në lidhje me probleme të caktuara, mosndërhyrjen e saj në ato raste që rregulloret nuk zbatoheshin nga aktorët e garës, por veçanërisht “nenin 36″ të rregullores së aktivitetit, në çerekfinalet e Kupës së Shqipërisë dhe afrimin e finales së saj, çka, sipas tyre, prishi ekuilibrat e fundit të kampionatit, ku shyumë skuadra, të dala jashtë objektivave, lëshuan dhe prishën luftën e ndershme sportive për mbijetesë.

Në vendin e katërt, në bazë të votave të lexuesve tanë, ka dalë alternativa “PROBLEMET FINANCIARE”, e zgjedhur nga 126 lexues tanët, ose 10 përqind e totalit të tyre. Më pak problematike në edicionin që u mbyll janë konsideruar alternativat e tjera të sondazhit, të cilat, më konkretisht, janë kuotuar si vijon: “NDERHYRJET POLITIKE” kanë shqetësuar 102 lexues (tifozë), ose 8 përqind të pjesëmarrësve; “LEVIZJET E TRAJNEREVE” kanë shqetësuar 69 lexues (tifozë), ose 6 përqind të pjesëmarrësve; “MOSZBATIMI I RREGULLOREVE” ka shqetësuar 65 lexues (tifozë), ose 5 përqind të pjesëmarrësve; “TE TJERA” përbëjnë shqetësim për 24 lexues (tifozë), ose 2 përqind të pjesëmarrësve.

burimi marre nga http://www.sportishqiptar.com.al

Nessun commento:

Posta un commento