Telegrafi.com - Sport

giovedì 9 luglio 2009

Lonçareviç: Duam patjetër kalifikimin


Trajneri kroat i Tiranës, Ilia Lonçareviç, e vlerëson, por nuk i trembet Stabaekut


Ditën e ndeshjes së parë me Stabaekun, që do të zhvillohet në kryeqytet, trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç, do të mbushë 23 ditë që nga dita që ka marrë drejtimin e skuadrës. Kroati i mirënjohur beson shumë te kalimi i turit të dytë, pavarësisht se bardheblutë nuk do të kenë në përbërje tre nga lojtarët e tyre më të mirë të një viti më parë, si Agolli, Memelli e Pezo, që janë zëvendësuar nga mbrojtësi shtatlartë Gal dhe francezi Mohelebi. Dje, Lonçareviç e ka lënë pushim skuadrën, ndërsa pasditen e ka shfrytëzuar për të parë nga televizori ndeshjen që kundërshtari i tyre Stabaek ka zhvilluar me Lillestromin, përballje e vlefshme për Kupën e Norvegjisë.

“Sikur të kishim edhe pak kohë…” Trajneri i bardhebluve foli edhe për fazën përgatitore, përgatitjet në Ohër dhe përmirësimin që kanë lojtarët në të gjitha drejtimet. Edhe pse koha ka qenë e pamjaftueshme, Tirana ka bërë maksimumin, megjithatë tekniku kroat dëshironte që të kishte edhe pak më tepër kohë:”

Kemi qëndruar 9 ditë në Ohër dhe me logjikë janë pak ditë për një fazë përgatitore të mirëfilltë, megjithatë ne e dimë shumë mirë që nuk mund të ndryshojmë asgjë për sa i përket kohës. Gjatë kësaj periudhe ne kemi bërë maksimumin për të marrë më të mirën nga kjo fazë. Ndaj mund të them që ekipi është gati, kemi bërë më të mirën gjatë gjithë kësaj kohe, edhe pse do të ishte akoma më mirë sikur të kishim edhe pak ditë më tepër në dispozicion. Gjithsesi, unë jam i kënaqur me punën e lojtarëve. Garantoj se që nga dita që kam filluar punën me këtë grup, lojtarët kanë rritje në çdo parametër dhe kje më bën edhe më shumë optimist për të ardhmen e Tiranës,”- tha kroati i pankinës bardheblu, Ilja Lonçareviç.

“Mungesat dëmtojnë Tiranën.” Në dy takimet e Ligës së Kampionëve, bardhebluve do t’u mungojnë edhe tre nga lojtarët më të mirë të sezonit të kaluar. Bëhet fjalë për kroatin Toni Pezo dhe mesfushorin Ansi Agolli, që të dy janë shumë pranë kalimit te Krivbasi. Si Pezo, ashtu edhe Agolli, duket nuk do të jenë më pjesë e bardhebluve, ndërsa “dhembje koke” për Lonçareviçin mbetet edhe dëmtimi i sulmuesit kryesor, Migen Memelli, i cili vazhdon të jetë në rikuperim e sipër, pas kurimit në Belgjikë.

Këto tri mungesa e kanë dëmtuar Tiranën, sidomos në dy sfidat europiane: “Nga ekipi i vitit të kaluar pjesë e Tiranës nuk janë më tre nga lojtarët kryesorë të formacionit bazë. Bëhet fjalë për mbrojtësin Pezo, mesfushorin Agolli si dhe sulmuesin kryesor të skuadrës, Migen Memelli. Deri më tani kemi afruar vetëm dy lojtarë të rinj, i pari stoperi kroat, Igor Gal, dhe i dyti mesfushori francez Laurent Mohelebi, që është i njohur për publikun shqiptar dhe tifozët e Tiranës. Në merkato janë vetëm lojtarë të sapoafruar, sepse kanë ardhur vonë, janë bashkuar vetëm në Ohër, kur ne kemi qenë në përgatitje e sipër. Në këtë moment mund të them që është në pikëpyetje ndihma e tyre në Champions. Ata do të vazhdojnë të jenë pjesë edhe pas Ligës së Kampionëve, nga të cilët pres akoma më tepër kur të jenë në një gjendje më të mirë fizike.”

“Stabaek para me përgatitje, por dua kualifikimin.” Sipas trajnerit të kampionëve, ndeshja me norvegjezët do të jetë mjaft e fortë edhe për atë se kundërshtari është aktualisht një nga ekipet më të mira në kampionatin e vet. “Unë nuk mund të them që jemi në kushte të barabarta me kundërshtarin për sa u përket përgatitjeve, sepse ne luajmë ndeshjen e parë zyrtare pas një pushimi të gjatë. Ndryshe nga ne, Stabaek është në kulmin e kampionatit, çka bën që ata të kenë një formë fizike mjaft të mirë. Këtu nuk dua që ta vë në dukje aspak cilësitë e tyre dhe mangësitë tona. Unë dua kualifikimin. Ju siguroj dhe garantoj se ekipi i Tiranës do të futet në fushë në ndeshjen e parë të Champions-it me mendjen se jemi të barabartë me kundërshtarin dhe lojtarët do të japin të gjithë maksimumin.

Synimi do të jetë arritja e një rezultati sa më të mirë, që në ndeshjen e kthimit në Norvegji të kemi më shumë shpresa për kalimin e turit. Më duhet të theksoj se lojtarët, klubi, natyrisht edhe tifozët duhet të jenë të qartë se ndeshjet kualifikuese të Champions-it janë diçka e veçantë në futbollin europian. Ne kemi detyrime ndaj tifozëve tanë, që krahas një ballafaqimi dinjitoz në Ligën e Kampionëve, të dalim edhe kampionë në superligë dhe klubi për 1 ose 2 vite të përparojë, në mënyrë që në vitet që vijnë të hyjmë në Champions me të organizuar.

Kjo do të bëjë që të jemi më dinjitozë në të gjitha drejtimet dhe të synojmë kalimin e sa më shumë tureve. Çfarë mund të flasim më tepër për kundërshtarin dhe kampionatin norvegjez, kur e dinë mirë të gjithë nivelin që ka ai kampionat? Ai është më i fortë se kampionati shqiptar dhe, po ta krahasosh futbollin norvegjez, bën dukshëm diferencën, kështu që Stabaek është një ekip i fortë dhe që duhet duhet vlerësuar nga ana jonë. Rozenborgu është vazhdimisht në Ligën e Kampionëve, por ne nuk dorëzohemi dhe nuk e lejojmë Stabaekun që të bëjë të njëjtën gjë. Ndaj edhe besoj shumë te skuadra ime në dy takimet europiane. Me atë që do të tregojmë në fushën e lojës, fjalët do t’i kthejmë në vepra dhe synimi ynë kryesor do të jetë kalimi i turit,”- e mbylli prononcimin e tij për “Sportin shqiptar” trajneri i Tiranës, Ilija Lonçareviç.


Paradite në ambasadë për vizat, pasdite stërvitje

Sot paradite, skuadra e Tiranës do të jetë në Ambasadën Norvegjeze në kryeqytet për të marrë vizat e udhëtimit, që do të bëjnë në Norvegji për ndeshjen e kthimit me Stabaekun. Kjo bëhet me qëllimin e mirë që të jenë gati pas dy javësh, kur të udhëtojnë drejt Norvegjisë. Ndërkohë, pasi kanë bërë pushim dje, kryeqytetasit sot pasdite, në orën 18:00, do të zhvillojnë seancën e parë stërvitore pas kthimit nga Ohri, e cila do të kryhet në kompleksin sportiv “Skënder Halili”.

Lonçareviç, familjarisht në kryeqytet

Trajneri i Tiranës, kroati Ilija Lonçareviç, duke qenë se i duhet të qëndrojë sa më pranë skuadrës, çka e pengon që të udhëtojë më shpesh drejt familjes së tij në Kroaci, duket se do të sjellë së shpejti në Shqipëri edhe bashkëshorten e vet. Kështu, nga ana e kryedonatorit të bardhebluve, Refik Halili, janë marrë të gjitha masat që trajneri kroat të akomodohet në një apartament pranë Vilës Goldi, afër qendrës së kryeqytetit, së bashku me bashkëshorten e vet.

burimi i marren nga sportishqiptar.com.al

Nessun commento:

Posta un commento