Vlonjati Guna ka qenë i pari, ndërsa kanë ardhur edhe tre lojtarët e parë kosovarë
Teuta vazhdon stërvitjen në “Niko Dovana”, e drejtuar nga përgatitësi atletik Eduard Salillari, ndërkohë që numri i atyre që stërviten ka arritur deri 30 futbollistë, pasi përveç atyre të ekipit të parë, që kanë nënshkruar kontratat, janë në provë shumë futbollistë të të rinjve, si dhe të tjerë, që provohen me shpresën për të qëndruar te Teuta.
Tashmë në provë në ekipin durrsak është një futbollist i Flamurtarit, Aldo Guna, i cili është një talent i ri nga ata futbollistë që Teuta shpesh i afron, dhe janë këta futbollistë që shpërthejnë më pas me talentin e tyre. Po kështu, me ekipin durrsak janë në provë pothuajse për dy javë tre kosovarët e parë, Labinot Prapashtica, mesfushor, 19 vjeç, Dardan Rugova, sulmues, 19 vjeç, dhe Ylli Prokopuca, mesfushor, 20 vjeç.
Vetëm pas dy javësh do të vendoset se cili prej tyre do të bëhet përfundimisht pjesë e “djemve të detit”. Te Teuta luante sezonin e kaluar një kosovar, Liridon Ahmeti, i cili është lënë i lirë nga skuadra bregdetare, duke u bërë futbollisti i shtatë që largohet, ndërkohë që ka gjasa që njëri prej kosovarëve aktualisht në provë, mendohet për Dardan Rugovën, të pranohet në ekipin durrsak. Te Teuta janë në provë edhe dy futbollistë 19-vjeçarë nga Tirana, që shpresojnë të kenë fatin e Hysës, i cili erdhi pikërisht nga të rinjtë e Tiranës dhe shpalosi talentin e tij për fanellën e Teutës. Testet për këta futbollistë në moshë të re e të talentuar tregojnë qartë prirjen e presidentit durrsak për afrimin dhe afirmimin e futbollistëve të rinj.
Presidenti Hasanbelliu deklaron për ardhjen në drejtim të Teutës të shumë futbollistëve të rinj, duke të kujtuar me këtë rast edhe praktikën e sezonit të kaluar, ku futbollistë të rinj e të talentuar, si Vila dhe Hysa, u afirmuan, duke ngjallur interesin e shumë klubeve të huaja. Ndërkaq, vazhdojnë bisedat e presidentit Hasanbelliu me lojtarët që do të afrohen te Teuta. Ndërsa vazhdon të presë për përgjigjen pozitive apo negative të Deliallisit, presidenti i durrsakëve po kontakton aktualisht me Çaushajn dhe F.Xhafën, përgjigjja e të cilëve pritet të premten.
Presidenti Hasanbelliu nuk deklaron asgjë për emrin e trajnerit, megjithëse burime pranë klubit bëjnë të ditur se prej ditësh vazhdojnë bisedat intensive për të arritur një akord me ndihmëstrajnerin e kombëtares Xhemal Mustedanagiç. Mendohet se dita e sotme do të jetë vendimtare për emërimin e teknikut që do të drejtojë Teutën në sezonin e ardhshëm.
Mujdragiç, sërish pjesë e Shkumbinit
Ekipi peqinas ka nisur përgatitjet për sezonin e ri. Janë rreth 20 futbollistë, shumica të rinj, të gjithë peqinas, që në mungesë të trajnerit Magani, këto ditë, janë stërvitur nga ndihmësit e tij Branica dhe Ballhysa. Dje grupit i është bashkuar dhe mbrojtësi serbo-boshnjak Ahmed Mujdragiç, që ka qenë pjesë e ekipit edhe në kampiontin e kaluar. 23-vjeçari rezultoi goditja më e mirë e merkatos së dimrit për Shkumbinin. Që në ndeshjet e para mbrojtësi shtatlartë ra në sy për cilësitë e tij, veçanërisht në luftën në ajër.
Disa ekipe të tjera në kampionatin tonë kërkuan ta bëjnë të vetin, por mbrojtësi i refuzoi kërkesat e tyre, duke preferuar të qëndrojë në Peqin. Bën pështypje paraqitja e tij pranë ekipit që në fillimin e stërvitjes, kur realisht ekipi është në hapat e parë të organizimit. “Nga drejtuesit u njoftova nëpërmjet telefonit për ditën e fillimit të stërvitjes.
Nuk kisha pse të neglizhoja, pasi kam kaluar shumë mirë në Peqin dhe për më tepër drejtuesit janë treguar tepër korrektë me mua,” - thotë mbrojtësi serbo-boshnjak. Mujdragiç thotë gjithashtu se, pavarësisht kontratës që e lidh me Shkumbinin, do të bisedojë me drejtuesit për kontratën e re, pse jo edhe për zgjatjen e saj. Ai e ndien veten të vlerësuar në Peqin, sepse ka qenë një ndër lojtarët më cilësorë me një kontribut të mirë në çdo ndeshje. “Në Peqin kam gjetur respektin dhe mikpritjen e të gjithëve, ndaj u riktheva këtu për të kontribuar për Shkumbinin,” - ka përfunduar mbrojtësi i qendrës, Ahmed Mujdragiç.
burimi marre nga sportishqiptar.com.al
Nessun commento:
Posta un commento