
Starti më 10 korrik. Zhupa trajner, Bejzade, A.Beqiri. F.Xhafa, Ishka e Ahmataj në fushë
I vetëm dhe i pambështetur nga asnjë financiarisht (deri tani), ka arritur që të projektojë pak a shumë Partizanin për sezonin e ardhshëm. Presidenti i kuq, Albert Xhani, e ka bërë gati ekipin për kampionatin e ardhshëm dhe përgatitjet do të nisin të enjten. Trajner do të jetë Eduart Zhupa dhe zëvendësi i tij Skerdi Bejzade. Por, ky i fundit do të bëjë edhe futbollistin aktiv dhe koordinatorin e klubit njëkohësisht. Pritet që të vijnë Ishka, Fjodor Xhafaj, Ardit Beqiri dhe Julian Ahmataj. Gjithashtu, disa prej atyre që mbyllën kapionatin e kaluar do të vazhdojnë të jenë pjesë e të kuqve.
Xhani – “E kemi projektuar pak a shumë Partizanin për sezonin e ardhshëm. Të premten më 10 korrik do të nisim përgatitjet për sezonin e ardhshëm. Do të afrojmë disa lojtarë dhe nga ata që janë pjesë e skuadrës le të qëndrojë kush të dojë. Ekipi është ndërtuar thuajse plotësisht, por që ka ende shumë kohë deri në fund të merkatos dhe mund të ketë lëvizje të tjera. Po ndërtojmë një skuadër të mirë dhe jemi gati për të luajtur, si në Superligë, ashtu edhe në Kategorinë e Parë”, shprehet 1-shi i “demave” në prononcimin e tij.
Futbollistët – “Pjesë e jona do të jetë Skerdi Bejzade që përveçse do të luajë, do të jetë edhe zv/trajner. Gjithashtu, do të afrohen edhe lojtarë të tjerë duke krijuar një grup shumë të mirë. Përsa i përket atyre që janë pjesë e skuadrës, janë të lirë të veprojnë sipas dëshirës së tyre. Mendoj se do vijnë të gjithë një e nga një. Gjithsesi, ka ende shumë kohë deri në përfundim të merkatos. Unë kam bindjen se do të krijohet një skuadër e fortë që do të arrijë të krijojë statusin e saj në çfarëdo kategorie që do të luajmë. Dhe të gjitha mundësitë janë që kjo të ndodhë”, shprehet presidenti Xhani në prononcimin e tij.
Financat – Përsa i përket gjendjes financiare, presidenti bën të ditur se është duke punuar që gjithçka të zgjidhet. “Jam duke bërë maksimumin që gjërat të ecin mirë. Kam bindjen se shumë shpejt do të rregullohet gjithçka. Por, për momentin, rëndësi ka fakti që po ndërtojmë një ekip të mirë që të paraqitet denjësisht në kampionatin e ardhshëm. E thashë që ka ende kohë deri sa të fillojë sezoni i ri dhe gjërat do të përmirësohen. Për këtë besoj shumë”, shprehet presidenti i Partizanit.
E ardhmja - 1-shi i klubit ka besim se një skuadër legjendë siç janë të kuqtë, do të arrijnë të ringrihen edhe një herë duke zënë vendin që i takon. “Kam bindjen se kjo skuadër nuk e ka vendin këtu ku ndodhet për momentin. Dhe të gjithë ne e dimë këtë pasi e kemi parë se sa herë na kanë penalizuar gjatë kampionatit që përfundoi. Por, besoj se shumë shpejt do të zemë vendin që i takon një klubi të tillë legjendë siç është Partizani, që për mua do të thotë tre fjalë, tifozë, fanellë dhe ata që financojnë”, përfundon prononcimin e tij, presidenti i të kuqve, Albert Xhani.
burimi i marre nga sportekspres.com
Nessun commento:
Posta un commento