Telegrafi.com - Sport

mercoledì 8 luglio 2009

Vllaznia per prestigj: Kualifikim me dy fitore


Mesfushori Belisha: Do te ishte e bukur qe te fitonim edhe para sportdashesve tane
Sa më shumë ofrohet dita e ndeshjes ndërkombëtare Vllaznia-Sligo Rovers, aq më shumë shtohen edhe emocionet e kësaj përballje europiane, kalimi me sukses i së cilës, i jep një tjetër shans kuqebluve të Vllaznisë të vazhdojnë aventuren në Ligën Europiane. Gjithnjë nëse kalohet me sukses turi i parë, në të dytin Vllazninë e pret një kundërshtar shume më i fortë, nje emer i njohur ne kontinent, siç është ai i Rapidit të Vjenës. Kur e ndajnë edhe 24 orë nga ballafaqimi i orës 20.00 të së enjtes, kuqeblutë duken pothuajse gati për ndeshjen vendimtare, qe do te percaktoje edhe skuadren e kualifikuar. Ashtu si edhe nga pjesëtarë të tjerë të kampit kuqeblu, të intervistuar në ditët e mëparshme edhe biseda e djeshme me mesfushorin Amarildo Belisha përqëndrohet në të njëjtën temë. Vlerësimi në masën e duhur i kundërshtarit është çfare kërkojnë futbollistet me pervoje te skuadres, por jo vetëm në gjirin e saj, por kudo në mjedisin sportiv, në prag të këtij takimi shumë të rëndësishem. “Kemi fituar një ndeshje në Irlandë, por ajo nuk është gjithçka për të siguruar kualifikimin”, thotë Belisha duke, kujtuar se për të kaluar turin duhet akoma punë në fushën e lojës. Sipas tij, Vllaznia në këtë ndeshje është në një pozitë më të vështirë psikologjike sesa në 90 minuteshin e parë, pasi duke luajtur përpara publikut të saj, pretendimet e të gjithëve janë për të prezantuar një lojë sa më të mirë. Ndërkohë, krejt e kundërta do të jetë më kundërshtarin, i cili pas asaj humbje në shtëpi 1-2, tashmë luan më i çliruar psikologjikisht dhe në këtë mënyrë, loja e tij prtitet të jetë më e hapur dhe sulmuese, pasi ai ka me se çfare të humbasë. Ndaj në të tilla kushte, sipas Belishës, Vllaznia duhet të tregohet e kujdesshme, fillimisht për të administruar rezultatin e takimit të parë, e më pas të mendojë për ta thelluar atë edhe më shumë. Gjithsesi, Belisha ashtu si edhe kuqeblutë e tjerë përpara tij, rithekson se Sligo Rovers është një skuadër që duhet vlerësuar, pasi kishte vertete vlera. “Lojtarët e saj janë mjaft cilësorë dhe atë që nuk me bën në Irlandë do të kërkojnë ta bëjnë në Shkodër. Për ne është shumë pozitive që tashmë e njohim nga afër këtë skuadër dhe me strategjinë që do të vërë në përdorin tekniku Lika, skuadra do të shkojë drejt realizimit të objektivit, kalimit të turit të parë”, thotë Amarildo Belisha, i cili gjatë prononcimit të tij tregohet i bindur, se një objektivi i tillë është plotësisht i mundshëm për t’u realizuar. “Për të kaluar turin na hynë në punë disa rezultate, si do lloj barazimi, apo edhe një humbje minimale, por t’ju them të drejtën, dëshira ime dhe e të gjithë skuadrës është që turin ta kalojmë me një fitore tjetër brenda në fushën tonë, gjë që do të gëzonte pa masë edhe tifozërinë tonë të zjarrtë”, citon Belisha, por gjithsesi duke ritheksuar se më i rëndësishëm është kualifikimi, pavarësisht se me çfare rezultati arrihet. Belisha, do të vijojë të luajë në qendër të mesfushës përkrah kosovarit Ilir Nallbani, rol i cili është mjaft i preferuar për të, pavarësisht se në situata të ndryshme për nevojat e ekipit, ai është spostuar jo pak here si mbrojtës i qendrës, apo edhe në rolin e mbrojtësit të majtë. I pyetur për Rapidin e Vjenës, skuadër e cila do të jetë kundërshtari i Vllaznisë në turin e dytë, madje që me 16 korrik, duke qënë e përcaktuar Vllaznia si udhëtuese, Belisha thotë se përqëndrimi i të gjithëve, për momentin eshte në ndeshjen e 9 korrikut me irlandezët e Sligo Rovers, ndërkohë që më pas, gjithnjë nëse turi i pare kalohet me sukses, atëherë me datë 10 e prapa do të fillohet të mendohet për austriakët e Rapidit.
burimi i marre nga sportekspres.com

Nessun commento:

Posta un commento