Dy skuadrat shqiptare, pjesemarrese ne Ligen e Europes, Dinamo dhe Vllaznia, zhvilluan sot ndeshjet e tyre te kthimit. Konkretisht, Dinamo priti ne Tirane FC Lahtin, me te cilin kishte humbur ne transferte, ndeshjen e pare, 4-1, ndersa Vllaznia priti Sligo Roversin, qe e kishte mundur ne shtepi 2-1, aktin e pare te ketij turi. Dinamo e fitoi ndeshjen e kthimit, 2-0, por nuk u kualifikua dot (rezultati perfundimtar 4-3, ne favor te finlandezeve), ndersa Vllaznia barazoi 1-1, por kaloi ne turin tjeter (rezultati final 3-2)
Dinamo - FC Lahti 2-0 (1-4)
Dinamo i thotë lamtumirë për këtë edicion Ligës së Europës, pas dy ndeshjeve krejt të kundërta me njëra-tjetrën. Nëse në ndeshjen e parë humbi thellë 4-1, në ndeshjen e kthimit, luajtur në “Qemal Stafa”, tregoi fytyrë krejt tjetër. Madje, e “preku” kualifikimin, me ato raste drithëruese në fund të 90-minutave, kur po kërkonte golin e tretë. Por, nuk ia arriti, sepse ndoshta edhe fati nuk ishte me ta. Përfundimisht, ndeshja e kthimit u fitua 2-0 nga Dinamo, porn ë turin tjetër kaloi FC Lahti i Finlandës, falë fitores 4-1 në ndeshjen e parë, që vulosi rezultatin final 4-3. 90-minutat e kthimit ishin totalisht në favor të Dinamos, që sulmoi gjatë gjithë kohës, ndërsa miqtë mbroheshin e mundoheshin të kundërsulmonin. Blutë arritën ta zhbllokonin rezultatin e ndeshjes në minutën e 13-të, me anë të Pape Diopit, cka i cliroi psikologjikisht lojtarët e Dinamos. Që këtu loja ka vetëm një muzikë: sulmon Dinamo dhe mbrohet Lahti. Megjithatë, blutë e kërkojnë golin me forcë, por jo me qartësinë e duhur, gjë që shkon në favor të miqve, të cilët mundohen të ulin ritmin e lojës dhe t’i mbajnë sulmuesit vendas sa më lart kuadratit të tyre. Qëllim të cilin e realizuan deri në minutën e 70-të, kur do të shënonte sërish Pape Diop. Pas golit të dytë, u duk se Dinamo nuk do të ndalej, do të gjente edhe golin e tretë, që do të ishte edhe i kualifikimit për në turin tjetër. Por, fatkeqësisht, pavarësisht rasteve të shumta, nuk e realizoi dot. Finlandezët, me shpirt ndër dhëmbë, arritën t’i mbijetonin humbjes 2-0, e cila do të thoshte kualifikim për ta. Dhe kështu ndodhi. Dinamo e mbylli këtu aventurën europiane të saj në këtë edicion, për t’ia lënë stafetën skuadrës finlandeze, e cila iu fal fitores së parë, ndërkohë që në kthim nuk tregoi asgjë.
Vllaznia - Sligo Rovers 1-1 (2-1)
Në stadiumin e qytetit më të madh verior, në Shkodër, një tjetër skuadër shqiptare, Vllaznia, luajti aktin e dytë të turit të parë të Ligës së europës. Vllaznia, pasi kishte fituar ndeshjen e parë në transfertë, ndaj Sligo Roversit të Irlandës, e priste kthimin më e qetë, por ama kërkohej përqendrim e jo eufori. Në këtë filozofi loje, kuqeblutë e drejtuar nga Hasan Lika, u futën në fushën e blertë të stadiumit të tyre. Ishin më kërkues ndaj kundërshtarit, sulmonin më dendurisht drejt portës së Sligo Roversit, ndërsa irlandezët kundërsulmonin herë pas here, duke dashur t’i gjendnin vendasit në befasi. Duhej të vinte minuta e 43-të e ndeshjes, që stadiumi shkodran të shpërthente në gëzim, ngaqë Vllaznia zhbllokoi rezultatin, me anë të sulmuesit të ri Shtupina. Me këtë rezultat mbyllet pjesa e parë e ndeshjes. Pjesa e dytë, sikurse pritej, filloi dhe u mbyll me irlandezët më kërkues, të hedhur me forca më të shumta në sulm, ndërsa kuqeblutë I kushtojnë më tepër vëmendje ruajtjes së rezultatit. Herë pas here loja njeh edhe provokime të lojtarëve mes njëri-tjetrit, cka I shkaktoi Vioresin Sinanit kartonin e kuq në minutën e 79-të. Pas këtij momenti do të vinte edhe goli i Sligo Roversit, me anë të A.Keane, në minutën e 85-të. Ky gol sjell panik në radhët e kuqebluve, ndërkohë që miqtë hidhen totalisht në sulm, që të shënonin një gol tjetër, që do ta conte në shtesë lojën. Këto synime të kundërta e rritën akoma më shumë temperaturën e ndeshjes, gjë që u shoqërua me një tjetër karton të kuq për irlandezët, në minutën e 90-të, me autor C. O´Grady. Pas dy minutash shtesë, ndeshja përfundon në barazim 1-1, por me Vllazninë të kualifikuar për në turin tjetër, ku e prêt Rapidi I Vjenës, një skuadër më e fortë dhe që kërkon ritëm tjetër nga shkodranët, nëse duan të vijojnë më gjatë këtë aventurë europiane. Ndërkohë, vlen të evidentohet një fakt, sa i takon Vllaznisë. Skuadra shkodrane, e ndihmuar deri diku edhe nga mënyra e re e këtij kompeticioni, vendosi një rekord unikal në Shqipëri, pasi është e para që kalon një tur në debutimin e Ligës së Europës, por nga ana tjetër u kualifikua për të katërtin sezon rresht në turin e dytë të një kompeticioni evropian, kur statistikat ofrojnë në panoramë shumë optimiste: në edicionin 2004-2005, Kupa Intertoto (kundër izraelitëve të Hapoel Bear Shevës), 2007-2008, Kupa Intertoto (kundër kroatëve të Nk Zagreb) dhe në edicionin 2008-2009, Kupa UEFA (kundër sllovenëve të Koperit), ndërkohë që numri total i kualifikimeve të kuqebluve shkon në gjashtë, përfshirë ato në Kupën e Kampioneve (2001-2002) dhe Kupën e Kupave (1987-1988).burimi i marre nga sportishqiptar.com.al/
Nessun commento:
Posta un commento