Telegrafi.com - Sport

giovedì 9 luglio 2009

Lika, në mbrojtje: Vlen… kualifikimi

Trajneri deklaron se do i respektojë irlandezët: “Kanë futboll britanikë, luajnë kudo njësoj”
Seanca e fundit stërvitore e kuqebluve të Vllaznisë në përag të ballafaqimit me irlandezët e Sligo Rovers është zhvilluar mbrëmë në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës. Sipas programit të hartuar, nga ora 19.00 deri në 20.00 ka qënë Vllaznia që ka patur rezervimin të zhvillojë 60-të minutëshin e fundit në prag të sfidës zyrtare të ditës së sotme, ndërkohë që menjëherë pas tyre fusha është vënë në dispozicion për ekipin mik nga Irlanda. Minutat e fundit përgatitore anti-Sligo i kanë vlejtur teknikut Lika për të bërë edhe meremetimet e fundit përpara sfidës së nesërme. Në një prononcim për “Sport Ekspres”, trajneri i Vllaznisë, theksoi se me përjashtim të mungesës së detyruar të portjerit Grima, përgjithësisht, formacioni do të jetë po ai i një jave më parë në Sligo. Dyshimi i vetëm është mbrojtësi i krahut të djathtë Safet Osja, për të cilin po bëhen të gjitha përpjekjet për ta rikuperuar, por gjthsesi, Lika thotë se në rast të mosgatishëmrisë së tij për të qënë në fushë janë marrë masat për zëvendësimin. Edhe pse ai nuk e bën publike, burime nga brenda skuadrës bëjnë të ditur se një nga variantet më të më mundshme që pritet të prezantojë tekniku Lika është një tërheqje prapa e mesfushorit të krahut të djathtë Dritan Smajli duke u sistemuar aty ku ka luajtur gjatë të gjithë sezonit të kaluar, ndërkohë që në vend të tij mundësia më e mirë është të vendoset kosovari Kasapi duke i dhënë mundësi të riut shtatlartë Bekim Bala të luajë përkrah kapitenit Sinani në vijën e parë sulmuese. Gjithsesi, të gjitha këto janë projekte, pasi verdiktin përfundimtar do ta japë tekniku Lika pak çaste përpara ndeshjes kur të dorëzojë protokollin e ndeshjes me emrat e titullarëve që do të luajnë nga minuta e parë. i pyetur për mundësinë e kualifikimit të Vllaznisë, Lika thotë se “asgjë nuk ka përfunduar, pasi Sligo është një skuadër e cila na vuri në vështirësi në ndeshjen e parë në Irlandë”. “Unë mendoj,- vijoi Lika,- se ndeshja e nesërme(sotme) duke pas parasysh edhe karakteristikën e futbollit britanik, i cili si brenda dhe jashtë fushës së tij zhvillon një lojë sulmuese duke kërkuar të dalë fituese, do të karakterizohet nga një luftë e fortë sportive. Në këtë kuadër, pavarësisht rezultatit të ndeshjes së parë, duke qënë shumë të kujdesshëm për të menaxhuar me kujdes këtë ndeshje, jemi me optimizëm dhe besim se do t’ia arrijmë qëllimit final të kualifikimit, i cili është edhe objektivi ynë në këtë tur”, tha trajneri Lika. Duke vijuar të evidentojë vlerat e skuadrës kundërshtare, sidomos në veprimet sulmuese, ku shfaqet edhe shumë e rrezikshme, Lika thotë se Vllaznia ka marrë masat e saj për t’ia kundrapërgjigjur në mënyrën më të mirë. Sipas tij, vëmendje e madhe do t’i kushtohet shfrytëzimit të hapësirave që mund të krijojë kundërshtari me inkursionet e tij sulmuese, të cilat dhanë rezultat edhe në ndeshjen e parë, duke e goditur dy herë radhazi Sligon në shtëpinë e saj. “Në ndeshje të tilla kupash ku kërkohet kualifikimi, duhet të jemi shumë të ekuilibruar dhe të kujdesshëm duke i shërbyer kualifikimit, pasi në fund të fundit të gjithë atë kërkojnë, dhe unë besoj së do të arrijmë ta realizojmë duke bërë realitet edhe dëshirën e madhe të tifozeërisë shkodranë”, ka përfunduar për “Sport Ekspres” tekniku Hasan Lika.
burimi i marre nga sportekspres.com

Nessun commento:

Posta un commento